Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri Silvio Gonzato deklaroi se Shqipëria duhet të bëjë një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore. Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve pas një aktiviteti në qytetin e Korçës, Gonzato theksoi se kjo është detyrë e qeverisë dhe e parlamentit.

Duke iu referuar rekomandimeve të misionit vëzhgues të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit që pritet të dalin në vijim, Gonzato theksoi se ka patur gjithashtu një deklaratë shumë të qartë nga Brukseli që është element kryesor.

“Siç e ka thënë dhe Përfaqësuesja e Lartë Kallas, është koha tashmë që qeveria shqiptare, por edhe parlamenti, të miratojë një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore e cila të përfshijë të gjitha rekomandimet e shkuara e të tashme nga OSBE-ODIHR”, deklaroi ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë.

“Rezultati i jep një përgjegjësi jashtë mase qeverisë shqiptare që ta ndërmarrë e ta kryejë këtë reformë kaq të gjerë, sepse me patjetër që i ka numrat. Nga ana tjetër është dhe pritshmëria e shqiptarëve, duke qenë se Shqipëria është në këtë rrugëtim për t’u bërë pjesë e BE-së”, tha Gonzato.

Gonzato vlerësoi punën e Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për administrimin e procesit zgjedhor, si dhe për bashkëpunimin me Prokurorinë e Përgjithshme dhe Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

“Kemi një raport të OSBE/ODIHR i cili pasqyron si kanë qenë këto zgjedhje. Ndërkohë që përmenden dhe çështje si përdorimi i burimeve publike, administrimi i zgjedhjeve është përgëzuar si i tillë nga raporti i OSBE/ODIHR, ndaj po e theksoj që kjo është diçka e cila duhet trajtuar nëpërmjet një reforme gjithëpërfshirëse në të ardhmen. Dua të vlerësoj Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për punën që ata kanë bërë, Prokurorinë e Përgjithshme, SPAK, që do të thoja ka qenë një bashkëpunim ekzemplar”, tha Gonzato.

I pyetur në lidhje me qëndrimet e opozitës për mosnjohjen e zgjedhjeve, Gonzato tha se çdo parti që mendon se ka parregullsi le t’i raportojë tek organet përkatëse.

“Kjo është mënyra se si duhet të shkojnë gjërat. Megjithatë, shpresoj që të dyja partitë kanë theksuar një sërë herësh përkushtimin e tyre ndaj procesit të anëtarësimit dhe përpjekjeve të Shqipërisë për të shkuar drejt BE dhe do të punojnë realisht në këtë drejtim”, tha Gonzato. (27 maj)

ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.