Bruksel (dpa) – Vendet e Bashkimit Evropian janë në rrugën e duhur për të reduktuar emetimet e dëmshme të gazrave serrë me 54 përqind deri në vitin 2030, duke i afruar ato me objektivin e BE-së prej 55 përqind, tha Komisioni Evropian të mërkurën.
Vlerësimi bazohet në planet kombëtare për klimën dhe energjinë në të cilat vendet anëtare duhet të detajojnë se si kanë ndërmend të arrijnë objektivin afatgjatë të bllokut për t’u bërë neutral ndaj klimës deri në vitin 2050 dhe për të reduktuar emetimet me më shumë se gjysmë deri në vitin 2030 krahasuar me nivelet e vitit 1990.
Komisioni i bëri thirrje vendeve anëtare të qëndrojnë në kurs dhe të zbatojnë plotësisht planet e tyre.
“Emetimet janë ulur me 37% që nga viti 1990, ndërsa ekonomia është rritur gati 70% – duke provuar se veprimi për klimën dhe rritja shkojnë dorë për dore,” tha Komisioneri i Klimës i BE-së Wopke Hoekstra. “Tani ne duhet të ndërtojmë mbi këtë momentum,” theksoi ai.
“Investimi në teknologji të pastra dhe inovacion është thelbësor për konkurrencën industriale dhe hap tregje të reja për kompanitë e BE-së. Angazhimi ynë për kalimin e pastër i jep investitorëve qartësi dhe forcon qëndrushmërinë dhe prosperitetin e Evropës.”
“Ky është një moment vendimtar – çdo sektor në çdo vend anëtar duhet të kontribuojë në realizim,” përfundoi Hoekstra.
Marveshja e Gjelbër në një rrugë të rrëshqitshme
Komisioni synon të mbështesë kryeqytetet me procese të thjeshtuara dhe akses më të mirë në financim për të ndihmuar vendet anëtare të zbatojnë planet e tyre.
Pavarësisht vlerësimit të përgjithshëm pozitiv, pesë vende të BE-së duhet të bëjnë më shumë për një shpërndarje të drejtë të barrës në sektorë si transporti, ndërtimet dhe bujqësia, tha Komisioni.
Ndërsa zgjerimi i energjisë së rinovueshme po përparon mirë, efikasiteti energjetik, duke përfshirë investimin në rinovimin e ndërtesave, mund të përmirësohet ende në disa vende, sipas degës ekzekutive të BE-së.
Objektivat klimatike të BE-së janë pjesë e ashtuquajturës Marveshje e Gjelbër, një paketë masash dhe legjislacioni pa precedent të destinuar për të trajtuar ngrohjen globale. Ndërsa ligje të ndryshme janë miratuar në Bruksel në vitet e fundit, zbatimi në vendet individuale mbetet një sfidë e madhe.
Rregullat më të rrepta për bujqësinë u tërhoqën pjesërisht pas protestave të mëdha të fermerëve në shumë vende të BE-së. Kërkesat për prodhuesit e makinave për të përmbushur kufijtë e emetimeve u lehtësuan së fundmi.
Pritet që Komisioni të paraqesë një propozim për një objektiv të ri përkohësisht të detyrueshëm për vitin 2040 në javët në vijim, pas rekomandimit të mëparshëm për një reduktim të emetimeve të gazrave serrë me 90 përqind. (28 Maj)