Konferenca e Dytë e Nivelit të Lartë e Drejtorëve të Përgjithshëm të Doganave të Ballkanit Perëndimor dhe shteteve anëtare të BE-së do të sjellë në mesin e muajit qershor në Tiranë diskutime në lidhje me thellimin e bashkëpunimit mes vendeve.
“Partneriteti Doganor për një Europë të Lidhur – Thellimi i Bashkëpunimit Doganor CEFTA-BE për lidhje të Pandërprerë” titullohet konferenca e 12 qershorit.
Konferenca mbledh për herë të parë në Shqipëri drejtorët e Përgjithshëm të Doganave të Ballkanit Perëndimor dhe shteteve anëtare të Bashkimit Europian, së bashku me përfaqësues të Komisionit Europian dhe institucioneve përkatëse rajonale dhe ndërkombëtare, për të riafirmuar angazhimin e tyre për thellimin e bashkëpunimit doganor në mbështetje të procesit të zgjerimit të Bashkimit Europian.
Në vazhdën e bashkëpunimit të përforcuar në Europë, siç u miratua së fundmi gjatë Komitetit Politik Europian të mbajtur në Tiranë më 16 maj 2025, zgjerimi i Bashkimit Europian me vendet e Ballkanit Perëndimor është investimi më i rëndësishëm gjeopolitik i BE-së.
Gjatë këtij takimi pritet të nënvizohet roli thelbësor i doganave në lehtësimin e tregtisë dhe promovimin e integrimit ekonomik në të gjithë rajonin. Temat ku do të përqendrohen diskutimet e pjesëmarrësve janë forcimi i bashkëpunimit rajonal doganor dhe përmirësimi i tregtisë midis CEFTA-s dhe Bashkimit Europian.
Konferenca do të shërbejë si platformë për një iniciativë të re që synon forcimin e partneriteteve doganore dhe është një mundësi unike për të përafruar përpjekjet rajonale me praktikat më të mira të BE-së dhe për të ndërtuar një treg të përbashkët rajonal më të fortë.
Eventi është organizuar nga Administrata Doganore Shqiptare, Agjencia Italiane e Doganave dhe Monopoleve, Sekretariati i CEFTA-s / projekti SEED+ dhe Sekretariati i Komunitetit të Transportit (TCT) dhe do të mirëpritet nga Administrata Doganore e Shqipërisë. (5 qershor)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.