Në Shqipëri u mbyll Java e Evropës (19-31 maj) me aktivitetin e fundit që mblodhi në dialog artistë, përfaqësues të Trupit Diplomatik dhe shumë institucioneve e organizatave kulturore.
Të pranishëm në hapësirën e dialogut ishin edhe ministri shqiptar i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, së bashku me ambasadorin e Bashkimit Evropian, Silvio Gonzato.
Gonxhja theksoi se, nën moton “A space to BE”, ky moment final mishëroi vlerat evropiane, bashkëpunimin, krijimtarinë, përkatësinë dhe të drejtat njerëzore përmes artit dhe kulturës.
“BE është më shumë se një pozicion gjeografik, është një projekt i përbashkët ku Shqipëria ndjehet pjesë aktive e familjes evropiane”, u shpreh ministri Gonxhja.
Performanca e fundit e Javës së Evropës u realizua në Tiranë ku u soll kërcimi bashkëkohor jashtë skenës tradicionale dhe mes hapësirave publike të qytetit. “Mes hapash dhe hijesh” nga was bleibt kollektiv dhe koreografi Gentian Doda u shfaq në sheshin pas Teatrit të Kukullave, duke i dhënë një frymë tjetër mjedisit përreth.
Trupat në lëvizje u bënë njësh me qytetin, duke reaguar ndaj arkitekturës, hapësirës dhe njerëzve që u ndalën për të parë, për të ndjerë, për të menduar. Nuk ishte një shfaqje e zakonshme: ishte një mënyrë e re për të parë artin dhe për ta jetuar qytetin.
Ndërkaq, mes shumë aktiviteteve gjatë Javës së Evropës, grupi JALBOZ u ndal në disa qytete me kulminacion në sallën Black Box të Akademisë së Arteve në Tiranë, duke përmbyllur një rrugëtim të veçantë që solli më pranë xhazin dhe muzikën tradicionale shqiptare.
Dhe ai rezultoi të ishte një kombinim i suksesshëm, pasi Rona Nishliu dhe Gent Rushi e ngritën audiencën në këmbë me një performancë prekëse dhe të krijuar bukur. Me zë, piano, bateri dhe instrumente të tjera tradicionale ata i dhanë jetë këngëve të vjetra në një formë krejtësisht të re, duke treguar se muzika tradicionale mund të jetë po aq e fuqishme edhe sot.
Një koncert i veçantë i muzikës klasike u zhvillua në Universitetin e Arteve në Tiranë, si pjesë e Javës së Evropës.
E organizuar nga Ambasada e Republikës Çeke në bashkëpunim me Universitetin e Arteve, në koncert performuan virtuozet e pianos shqiptare Silvana Skenderi dhe Fjorda Veizaj, të cilat interpretuan vepra klasike nga Dvořák, Ravel, Schubert, Smetana dhe të tjerë.
Po ashtu, në Europe House, artistë, muzikantë dhe regjisorë u mblodhën për një edicion të veçantë të TalkArt, pjesë e Javës së Evropës. Në moderimin e Mikaela Mingës, paneli solli Harlen Nikollin, Lorin Terezin dhe Mardit B. Lleshin, secili me një këndvështrim të veçantë mbi kuptimin e të krijuarit muzikë dhe film në Shqipërinë e sotme.
Nga procesi krijues dhe sfidat e prodhimit, te roli i kujtesës, vendit dhe bashkëpunimit, diskutimi ofroi reflektime me vlerë mbi mënyrën se si arti formon dhe ndikohet nga realiteti ynë. U trajtua gjithashtu mënyra se si elementët tradicionalë, si muzika folklorike, vazhdojnë të gjejnë vend në shprehjen artistike të sotme, duke ndërtuar ura midis brezave.
Një mbrëmje e veçantë zuri “Vëndçe” nga Lorin Terezi, një dokumentar që solli zërat e Pilurit në zemër të Tiranës.
Në kuadër të Javës së Evropës, dokumentari solli një rrëfim të sinqertë dhe të papërpunuar mbi traditën, identitetin dhe lidhjen e thellë mes zërit dhe vendit. Përmes provave dhe përditshmërisë, ai rikujtoi vlerat që ende i mbajnë shqiptarët të lidhur me rrënjët e tyre.
Dokumentari u shoqërua nga një bisedë me regjisorin dhe një interpretim live nga vetë grupi, ashtu siç meriton të përfundojë një mbrëmje e vërtetë “Vëndçe”. (2 qershor)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.