Studentët e Kolegjit të Evropës në Tiranë panë nga afër në një vizitë studimore projektet e financuara nga Bashkimi Evropian nëpër Shqipëri.
“Momenti i parë ishte të shihje se si Bashkimi Evropian është i pranishëm edhe përtej kryeqytetit, duke financuar projekte në të gjithë vendin. I dyti ishte angazhimi me të rinj nga Rrësheni dhe Lezha, për t’u treguar atyre më shumë rreth Kolegjit dhe për të ndarë këshilla dhe ide se si të aplikojnë në të ardhmen”, thotë Arzu Karimzade.
Ajo ishte një ndër rreth 20 studentët që vizituan si veriun ashtu edhe jugun e Shqipërisë në një udhëtim studimor të organizuar nga Bashkimi Evropian, duke u ndalur në Rrëshen, Lezhë, Razëm, Shkodër, Gjirokastër, Sarandë dhe Ksamil. Qëllimi ishte të përfshiheshin studentët e Kolegjit të Evropës në diskutime rreth komunikimit, sfidave dhe mundësive arsimore për të rinjtë, duke u ofruar atyre një mundësi të vlefshme për të eksploruar vendet kulturore, si dhe për të mësuar rreth projekteve të financuara nga BE-ja dhe ndërhyrjeve në zona — që nga kishat, kështjellat dhe muzetë deri te rrugët, nismat mjedisore, projektet turistike dhe më shumë.
Ella-Marie Beirnaert, një studente belge në Kolegjin e Evropës në Tiranë tregoi se pjesa e preferuar e këtij udhëtimi studimor ishte vizita në vendin e varrimit të Skënderbeut në Lezhë. Heroi kombëtar i Shqipërisë Skënderbeu bashkoi popullin duke mbledhur gjithë princat për të diskutuar se si ta mbronin Shqipërinë nga pushtimi osman. “Kjo ishte ndoshta përpjekja e parë për të vendosur marrëdhënie diplomatike me Evropën, pasi veprimet e tij bënë që osmanët të mos kalonin nëpër Shqipëri për të hyrë në pjesën tjetër të kontinentit”, thotë studentja.
Vizitat ishin pjesë e Fushatës Arsimore të BE-së, e përqendruar tek ofrimi i informacionit rreth mundësive për studentët dhe të rinjtë shqiptarë, duke treguar shembuj të suksesshëm të projekteve të financuara nga BE-ja përmes vizitave studimore dhe kulturore.
Paul Anderson, një student nga Skocia, vëren jo vetëm ndikimin e Bashkimit Evropian në aspektin e projekteve për të rinjtë, por edhe në ushqyerjen e ambicieve, shpresave dhe ëndrrave të tyre. Të njëjtën përshtypje ndau edhe Anita Balliu, e lindur në Shqipëri, por e rritur në Belgjikë.
Ndërsa Paul Anderson-i vlerësoi shëtitjen përgjatë shëtitores me diell të Shirokës, Düriye Toto nga Qiproja nënvizoi kuzhinën shqiptare – byrek, fërgesë dhe shëndetlie – në një udhëtim që përfshinte shumë shije dhe pamje të vendit, me monumente kulturore që pasqyronin historinë e pasur dhe të larmishme të Shqipërisë.
Aleks Vangjelovski, i lindur në Pogradec, i rritur në Itali dhe tashmë i kthyer në Shqipëri si student në Kolegjin e Evropës thotë se u ndje veçanërisht i lidhur me Kishën e Rubikut.
Duke ecur pranë Xhamisë së Pazarit në Gjirokastër, Gabriel Fernandez Alonso, një student nga Spanja, ndau njohuritë e tij nga pjesa jugore e udhëtimit. “Më pëlqeu të takoja të rinj në Gjirokastër – si të rinj vendas ashtu edhe një grup studentësh spanjollë që aktualisht janë në Erasmus atje”, tha studenti.
Më tej, në jug, aty ku takohen uji dhe historia, vizitorët u përballën me pamje marramendëse dhe histori të lashta. “Pjesa Ksamil/Butrint e udhëtimit ishte padyshim e preferuara ime. Pamja e rrënojave të arkitekturës romake të shpërndara në të gjithë parkun, me detin aq pranë, ishte e paharrueshme”, thotë Adam Kelly, një student nga Irlanda.
Francisco Javier Buades Piqueres nga Spanja gjithashtu ndau mahnitjen e tij me Sarandën. “Turi i midhjes në Liqenin e Butrintit ishte, pa dyshim, çasti im i preferuar. Mbështetur nga Fondi i Sfidës “BE për Inovacionin”, ishte e pabesueshme të shihje se si nismat e turizmit të qëndrueshëm po krijojnë mundësi të reja për rajonin, duke ruajtur në të njëjtën kohë bukurinë e tij natyrore. Një pjesë vërtet e paharrueshme e udhëtimit”, shton ai.
Këto vizita, të cilat i njohën studentët me natyrën dhe kulturën e Shqipërisë dhe kontributin e BE-së për ruajtjen dhe rigjallërimin e tyre nisën me vizionin e një studenteje.
“Që kur nisa studimet në Kolegjin e Evropës, dëshiroja të gjeja një mënyrë që bashkëmoshatarët e mi nga e gjithë Evropa ta përjetonin Shqipërinë përtej Tiranës dhe të lidheshin me të rinj nga qytete më të vogla, ku informacioni rreth kolegjit tonë mund të mos ishte aq i arritshëm. Falë mbështetjes së Delegacionit të BE-së në Shqipëri e bëmë këtë të mundur, duke përjetuar dy udhëtime të mrekullueshme studimore në të gjithë vendin, nga veriu në jug”, thotë Desantila Muriqi, një studente nga Kosova. (6 maj)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.